Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar gatishmërinë për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, duke thënë se në një rast të tillë në agjendë të takimit do të ishte vetëm njohja e Kosovës.

Kreu i shtetit serb, gjatë qëndrimit në Bosnjë, këtë fundjavë, është shprehur pozitivisht për një takim me Thaçin duke thënë se do të merrte pjesë në takim nëse aty do të bisedohej për zgjidhjen e problemeve e jo për promovimin e shtetësisë së Kosovës. Për më tepër Tadiç ka thënë se në takimin eventual me Thaçin do të diskutonte për planin e tij katërpikësh që parasheh status special për Veriun ose për ndonjë plan tjetër.
Por Thaçi në një prononcim për gazetën Express, ka thënë se në një takim me shefin e shtetit serb do të diskutonte vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Në takimin e mundshëm me presidentin Tadiç, unë e kam vetëm një pikë të diskutimit – njohjen reciproke, të tjerat janë çështje që mund të rregullohen me raporte ndërshtetërore sikur me të gjitha vendet fqinje. Por ky takim do të ishte në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë dhe perspektivës euroatlantike të dy shteteve tona dhe të mbarë rajonit”, ka thënë Thaçi.
“Takimi ynë nuk do të duhej të kuptohej si betejë për ta mundur njëri – tjetrin, Kosova Serbinë ose e kundërta, sepse kjo betejë është mbyllur në qershor të vitit 1999 dhe rezultatin e di e gjithë bota. Ky takim eventual mund t’i shërbejë të ardhmes më të mirë të popujve dhe shteteve tona”, ka shtuar Thaçi.
Mundësia e një takimi Thaçi – Tadiç është aktualizuar ditëve të fundit pas deklarimeve të kreut të Qeverisë së Kosovës se nuk ka ndonjë problem ta takojë Tadiçin, pasi takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë. Por, analistët vlerësojnë se një takim i tillë është vështirë të ndodhë para zgjedhjeve në Serbi.