Shkup, 11 mars - Xheladin Murati, ka zbardhur një sërë të problemeve në përdorimin e gjuhës shqipe. "Shqiptarët nuk janë kundër mësimit të gjuhës maqedonase në sistemin arsimor, por që ajo të mësohet siç është projektuar me projektin për arsimin fillor nëntëvjeçar, përkatësisht, nga klasa e katërt.
Nuk ekzistojnë aspekte pedagogjike, psikologjike dhe socio-linguistike që nxënësit shqiptarë, nga klasa e parë t'i nënshtrohen një projekti trilingual - të mësojnë shqip, anglisht dhe maqedonisht. Kjo është e panevojshme dhe tej mase, dhe i tejkalon të gjitha kapacitetet dhe potencialin intelektual të nxënësve", tha Murati. Bajram Pollozhani, ndërkaq, mendon se në Kushtetutën nuk është saktësuar qartë se cila është gjuha e dytë zyrtare në shtet, përkatësisht, ceket se gjuhë tjetër zyrtare është ajo që e flasin së paku 20 për qind të qytetarëve. Sipas tij, korniza kushtetuese-juridike në raport të arsimit ka depërtuar mjaft në praktikë dhe tani është mundësia që ajo të zgjerohet. Vllado Popovski, profesor në Fakultetin juridik, tha se duhet realisht të shqyrtohen të gjitha problemet dhe ashtu të vendosen në dialogun në shoqëri. Sipas tij, duhet të ketë reformë themelore të arsimit, sepse nga marrëdhëniet ndëretnike, posaçërisht ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, varet qëndrueshmëria e shtetit, ndërkaq që duhet të valorizohet edhe çështja e reciprocitetit të të dy palëve në arsim. Për Mersal Bilallin, më e keqja është, siç tha, të satanizohet një realitet. "Duhet të shikohemi në pasqyrë. Nëse jemi përcaktuar për parime bashkëkohore evropiane, duhet t'i respektojmë ato parime. Duhet t'i respektojmë të gjitha kulturat, të gjitha gjuhët, ashtu që mësimi i gjuhës së njërit dhe të tjetrit, duhet të jetë kultura jonë. Çdo satanizim i kësaj çështjeje është satanizim i ardhmërisë së njerëzve", mendon Bilalli.