Deklarata e lëshuar disa ditë më parë nga eksperti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Server se plani i Piter Feithit, me të cilin serbëve në veri të Kosovës u jepet ‘një shkallë e lartë e autonomisë’, duket se nxjerrë në pah atë çka përflitej nën zë për përmbajtjen e kësaj strategjie. Vetëm kur një personalitet si Daniel Server, i cili me një fjali të përmbledhur dha të kuptohej më shumë rreth kësaj strategjie, riktheu vëmendjen në përmbajtjen e saj.
Strategjia për veriun që prej kohësh, në qarqet politike, po vlerësohej si hap për shtrirjen e pushtetit në pjesën veriore dhe integrimin e asaj pjese, duke përjashtuar kështu funksionimin e strukturave paralele, mbetet sfidë e së ardhmes. Por, deklarata e Daniel Server, duket se “zgjoi” ndjeshmërinë për atë “pako të Pandorës”, për të cilën askush nuk di të flasë më qartë se çfarë ka brenda. Është një strategji dëshirash apo një strategji që ‘de jure’ do të lë edhe më tej të ndarë këtë qytet?!