Qeveria po udhëheq politikë nënçmuese dhe provokuese ndaj shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Kështu ka deklaruar gjatë një prononcimi për "Top Channel", deputeti i LSDM-së, Vllado Buçkovski. Sipas tij, politika e Nikolla Gruevskit e çon vendin drejt një krizë ndëretnike dhe ndërfetare. "Politika aktuale është provokuese dhe e ashpërsuar shumë. Mendoj se Gruevski në çdo mënyrë mundohet t’i nënçmojë dhe t’i provokojë shqiptarët. Sikur të ishte pak provokim i madh me enciklopedinë, vazhdoi me gjuhën maqedonase dhe kulmoi me projektin ‘Shkupi 2014’
Unë personalisht projektin e fundit e shoh më shumë provokim ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve", ka thënë Buçkovski. Deputeti socialdemokrat, ka kritikuar edhe pozitën e partisë së Ali Ahmetit në qeveri. "Jam i habitur edhe nga pozicioni i partisë shqiptare në pushtet BDI, e cila me sjelljen e saj po i nënçmon shqiptarët në vendin tonë. Shqiptarët kanë shpresuar se BDI do tu sigurojë përfaqësim të drejtë në Maqedoni, por kjo nuk po ndodh", tha Buçkovski. Ai, thotë se vendi ka nevojë për ndryshime. Edhe pse i vetëdijshëm për rejtingun e lartë të kryeministrit Gruevski, Buçkovski është i bindur se pas qershorit kjo qeveri mund të përmbyset nëse nuk zgjidhet çështja e emrit. "Në fund të qershorit të gjithë qytetarët do të duhet të ballafaqohen me realitetin se jemi futur në një krizë të thellë politike të brendshme, por edhe me një krizë ndëretnike dhe ndërfetare", tha Buçkovski.