Prishtinë, 14 janar - Prania ndërkombëtare në Kosovë është afër finalizimit të një dokumenti strategjik për veriun e Kosovës, shkruan sot “Koha ditore”. Me të, sipas gazetës, do të definohen hapat që duhet të ndërmerren për instalimin e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.

Strategjia ka për qëllim të ndërrojë qasjen e deritanishme, në mënyrë që të ndryshohet edhe situata në veri. Ky draft-dokument, të cilin e ka siguruar gazeta, është hartuar për nevojat e Quintit, BE-së, EULEX-it e ICO-s.
Ndonëse parashihen disa veprime, kjo strategji nuk mund të përkthehet edhe si plan i veprimit për veriun dhe, sipas interpretimit të një zyrtari ndërkombëtar, dokumenti nuk është akt ligjor, por vetëm një pozicionim politik.
"Strategjia ka synim të ndërrojë status quo-në e tanishme në raport me veriun, përfshirë edhe qasjen që kanë ndaj çështjes së veriut qarqe të caktuara ndërkombëtare, por edhe vendore, në Prishtinë", ka thënë burimi që ka njohuri për procesin e hartimit të strategjisë.
Sipas tij, me këtë pozicionim politik tentohet që të arrihen ndryshime në disa drejtime.
"Strategjia ka synim të ndërrojë dinamikën në veri, dhe atë në tri pika kyçe: një, të ndryshojë diskursin përballë veriut, si atë të faktorit vendor ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar, dy, të përforcojë politikën se forca nuk është zgjidhje për veriun dhe tre, të krijojë nxitje për bashkëpunim vullnetar të serbëve”, ka sqaruar ky burim.
Strategjia e sipërpërmendur i dedikohet tërë veriut të Kosovës dhe nuk ka të bëjë vetëm me Mitrovicën veriore, ndërkohë që sipas burimit të gazetës me të insistohet që EULEX-i t’i përmbushë obligimet që edhe ashtu i ka për detyrë t’i kryejë.
Ndërkohë, katër pika janë themelore në kuadër të strategjisë, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e Komunës së Mitrovicës veriore, krijimin e kushteve për normalizim në tri komunat e tjera veriore, forcimin e EULEX-it ashtu që të përmbushë mandatin e vet dhe që “shtëpia e BE-së” në veri të promovojë ndryshime pozitive.
Në të janë përshkruar edhe detyrat konkrete, të cilat do të duhej që brenda vitit 2010 të ndryshonin situatën në veri të Kosovës.
Strategjia parasheh që “Qeveria e Kosovës dhe partnerët e saj ndërkombëtarë të krijojnë komunën e re të Mitrovicës veriore, nëpërmjet zgjedhjeve që do të organizoheshin nga autoritetet përkatëse kosovare. Komuna do të funksionojë bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo duhet të fillojë punën nga mesi i vitit 2010”.
Krahas kësaj, planifikohet që “organizimi i zgjedhjeve komunale edhe në tri komunat veriore të bëhet më së largu deri në fund të vitit 2010”.
Me këtë synohet që “brenda vitit 2010 institucionet paralele të Serbisë të ‘margjinalizohen’, ndërsa zyra e UNMIK-ut për Mitrovicën e Veriut (UAM) të mbyllet".
Një tjetër veprim, i planifikuar në këtë strategji është “rritja e pranisë së EULEX-it në tërë Kosovën Veriore, me çka gradualisht dhe në mënyrë të konsiderueshme do të përforcohej sundimi i ligjit”. Nga hapat konkretë që strategjia sugjeron për EULEX-in janë instalimi i gjykatave më efektive, rritja e prezencës së policisë dhe doganave.
Zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë i kanë thënë gazetës se finalizimi i dokumentit strategjik, do të ndodhë brenda disa javësh, pa ndryshime qenësore nga drafti ekzistues, thuhet në një shkrim më të gjatë, të botuar në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”.