Si u krijua shqipja totalitare? Ardian Vehbiu flet për këtë çështje në një intervistë për studimin e tij mbi gjuhën shqipe dhe ligjërimin publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990. "Shumë faqe të ligjërimit publik influencial gjatë viteve të regjimit komunist duket sikur i kanë shkruar prokurorët komunistë... Vetë modeli i ka rrënjët thellë në mendësinë e turmës. Prandaj i ka mbijetuar për bukuri ndërrimit të epokave, dhe gjëllin sot e kësaj dite në ligjërimin publik të një shoqërie cilësisht tjetër, si e sotmja në Shqipëri".
E shkruar më 07.01.2010 në ora 16:46
Elsa Demo
Shekulli
Çfarë ka ndodhur me shqipen publike gjatë komunizmit? Shndërrimi i saj në instrument propagande, ndërhyrjet e pushtetit politik dhe reflektimet e këtij pushteti edhe në gjuhë, janë objekti i studimit të Ardian Vehbiu në librin "Shqipja totalitare. Tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990" ("Çabej", Tiranë, Nëntor 2009). Ai, me modesti e quan ese dhe jo studim akademik.
Por më mirë kështu! Pavarësisht temës serioze, e paprekur nga studimet e shqipes deri më sot, autori e fton lexuesin në një diskutim të hapur. Kjo do të thotë se lexuesi që e ka jetuar atë kohë, që ka menduar dhe komunikuar me atë gjuhë, gjeneron prej shembujve të Vehbiut të tjerë shembuj jo thjesht gjuhësorë, por edhe kulturorë, emocionalë.
Të tjerë që u lindën në vitet tetëdhjetë, që përkon me epokën e "ndërhyrjes në ligjërim", do të gjejnë në këtë vepër metodën për të interpretuar ligjërimin e sotëm politik i cili siç e thekson autori në këtë intervistë, bart tiparet e ligjërimit të djeshëm.
Varfërimi i shqipes nën totalitarizëm, politikat gjuhësore, lufta ndaj kulturës gege, revolucioni kulturor i 67ës, Kongresi i Drejtshkrimit 1972 dhe njësimi formal, ligjërimi subversiv, punishtet e shqipes totalitare, citati, plagjiatura janë disa çështje të "Shqipes totalitare", për të cilat autori është intervistuar.
Cilat janë mekanizmat e prodhimit funksionimit dhe interpretimit të ligjërimit publik në shqipe; veprat përfaqësuese të shqipes totalitare dhe autori i saj, karakteristikat, tiparet që janë trashëguar në ligjërimin e sotëm.
Analizat e "Shqipes totalitare" janë një ftesë e tërthortë për në kopshtet e psikologjisë së turmës që bën një autor i cili prej vitesh ka investuar për një opinion publik demokratik nëpërmjet një lloji publicistike ku ndërthuren fushat njohëse të natyrës njerëzore dhe sistemeve ku e ka futur veten njeriu (shqiptari) modern.
================
Titulli "Shqipja totalitare" sugjeron një vepër që ka objekt studimi një shqipe "tjetër". A mund të thuhet se kjo është shqipja kur pushteti politik ndërhynte në gjuhë për ta shndërruar atë paralel me aspektet bazë të jetës shqiptare?
Ardian Vehbiu: Më mirë të themi se shqipja totalitare është një tërësi rregullsish, rregullash dhe formash gjuhësore, përdorimi publik i të cilave nga folësit shërbente si kusht për riprodhimin e pushtetit totalitar, duke siguruar pjesëmarrjen e ligjëruesit në riprodhimin e pushtetit.
Më tepër sesa ndërhyrje e pushtetit politik në gjuhë, kjo përftohej si reflektim ose mishërim i pushtetit politik në gjuhë dhe në ligjërim, duke u realizuar nëpërmjet një tërësie tiparesh që preknin sidomos rrafshet më të larta të gjuhës: sintaksën, leksikun, pragmatikën dhe retorikën; por pa lënë jashtë të gjitha ato kushte që bëjnë të mundur komunikimin publik dhe që, në vetvete, nuk janë doemos gjuhësore për nga natyra.
Jeni shprehur shpesh se ndërhyrja në shqipe dhe gjurmët e këtij procesi nuk analizohen dot me "rrugë ideologjike". Përse, fat të keq, kjo rrugë ndiqet sot si nga ata që flasin pro politikave zyrtare të komunizmit, edhe nga ata që gjatë diskutimit kritik mbajnë në duar flamur gegërishten?
Ardian Vehbiu: Ideologjia gërmon llogore dhe llogoret nuk i vlejnë as dijes, as dialogut. Një gjë është të përshkruash se çfarë ka ndodhur me shqipen publike gjatë viteve të komunizmit, një gjë tjetër është të nxjerrësh komunizmin para gjyqit.
Kur flas për ideologji, kam parasysh, në kontekstin specifik, edhe epërsinë morale të cilën kritikët ideologjikë e marrin për të mirëqenë, por që në thelb rrezikon ta shndërrojë diskursin kritik në retorikë; edhe pse nga tribuna ose podiumi i oratorit nuk është lehtë të reflektosh rreth dukurive të tilla, të cilat janë edhe sot të gjalla dhe ndikuese në jetën publike.
Vetë pozicionimi etik nga palët, ashtu siç vërehet sot në debatet publike, është mbijetojë e së djeshmes totalitare, ose e konceptit të debatit si një konflikt ku njëra palë synon ta shfarosë tjetrën krejt.
Cilat janë arsyet që totalitarizmi dëmtoi më rëndë përdorimin publik të shqipes?
Ardian Vehbiu: Që totalitarizmi, si ideologji dhe praktikë, e përqendroi vëmendjen në shqipen publike për ta standardizuar, ose për t'ia njësuar urgjentisht trajtat.
Tani, nevoja për standardizim, në vetvete, nuk ka të bëjë me totalitarizmin, sepse ndeshet në çdo shoqëri dhe kulturë të qendërzuar; prandaj duhet vërejtur se totalitare ishte metoda ose rruga që u ndoq për standardizimin; dhe jo vetëm të gjuhës, por edhe të gjitha formave të tjera të komunikimit publik - deri te dasmat dhe mbrëmjet e vallëzimit.
Regjimi synonte që t'i impononte shqipes publike forma të tilla të njësuara, ose rregullsi të tilla njësuese, që vetë shqipja publike të shndërrohej sa më parë, siç u shndërrua, në vegël të propagandës totalitare dhe mjedis për riprodhimin e marrëdhënieve të pushtetit totalitar.
A është shqipja e njësuar kurora e totalitarishtes? Të parën ju e quani një instrument që u përdor për disiplinimin e mendimit, kurse tjetrën një gjuhë e drunjtë.
Ardian Vehbiu: Në të vërtetë, asgjë totalitare nuk ka në shqipen e njësuar, në vetvete ose si sistem gjuhësor.
Kjo është gjuhë artificiale, si çdo gjuhë tjetër e njësuar, që mësohet në shkollat anembanë republikës dhe duhet përdorur, pak a shumë me detyrim, në komunikimin publik, veçanërisht të shkruar.
Përpjekjet për njësimin e shqipes i gjen që me Buzukun; meqë nuk mund ta shkruash gjuhën pa ia imponuar disa rregulla specifike të cilat ta disiplinojnë të folurin. Në rrafshin gjuhësor, krejt Rilindja ishte përpjekje e madhe njësuese dhe homogjenizuese; meqë shtetit të ardhshëm shqiptar dhe shkollës shqipe do t'i duhej patjetër një shqipe e njësuar, ose një skelet rregullash për ndërtimin e thënieve dhe teksteve të destinuara për komunikim kombëtar.
E theksoj - nuk duhet ngatërruar shqipja totalitare me shqipen standard; janë objekte të ndryshme në vetvete, të cilat afrohen mes tyre vetëm kur marrim në vështrim mënyrën si u standardizua shqipja pas vitit 1945 dhe dhunën burokratike që u ushtrua ndaj formave alternative ose varianteve, veçanërisht gegërishtes së shkruar.
Po ashtu, totalitar ishte nxitimi me të cilin u krye homogjenizimi i shqipes publike në vitet 1950-1970, në një shoqëri dhe një kulturë që ende nuk e kishin arritur atë nivel intensiv komunikimi, që ta përligjte ngutjen.
Kjo ndodhi paralelisht me të tjera dukuri që kanë të bëjnë jo me homogjenizimin e gjuhës, por me homogjenizimin e kulturës, të tilla si, për shembull, rritja marramendëse e peshës specifike të teksteve me natyrë politike dhe propagandistike, në ligjërimin publik; ose literaturës politike - si veprave të E. Hoxhës, të cilat botoheshin me tirazhe të mëdha, studioheshin dhe komentoheshin në grupe dhe pranoheshin sakaq në kodin "gjenetik" të komunikimit publik totalitar.
Përkundrazi, shqipja "e drunjtë" përfaqëson një efekt, si të thuash, anësor të totalizimit; meqë shqipja totalitare, për nga natyra, mbështetej në riprodhimin e modeleve dhe të klisheve, ose në përdorimin ornamental të fjalës; në mënyrë të tillë që çdo tekst i prodhuar rishtas t'u referohej, me forcë të madhe, teksteve të mëparshme, për të theksuar vijueshmërinë dhe shabllonizimin jo vetëm të ligjërimit, por edhe të mendimit.
Vend të veçantë në analizën tuaj zë ligjërimi në gjyqin popullor. A ka prej tij elementë që trashëgohen në ligjërimin e sotëm? Nëse po, çfarë tregon kjo?
Ardian Vehbiu: Që ligjërimi publik mbështetet në teatrin e procesit gjyqësor, këtë e kanë vërejtur me kohë dhe e kanë analizuar në kontekste jototalitare.
Çka ndodhi me shqipen gjatë viteve 1945-1990 ishte se ligjërimi publik që u përpunua gjatë kësaj kohe nuk kishte traditë të vetën të konsoliduar; meqë shqipja publike deri në vitin 1939 ishte ende, si të thuash, në shpërgënj.
Kemi disa shembuj të paktë, si fjalimet e Nolit ose artikuj të shtypit të mbretërisë, por përndryshe ligjërimi publik ende mbetej i kushtëzuar nga letërsia dhe retorika; u drejtohej emocioneve të publikut, jo arsyes; kërkonte ta edukonte lexuesin, jo ta tërhiqte në pjesëmarrje aktive.
Ndërkohë, pas 1945-ës, ligjërimi publik u kthye në formën sunduese të komunikimit publik të një shoqërie që mbështetej dhe riprodhohej në luftën e klasave; prandaj përftesa të tilla si denoncimi, çjerrja e maskës, vënia me shpatulla pas muri, dënimi etj. do të zinin vend të madh në tekstet; edhe pse kulturës shqiptare ende i mungonte një traditë juridike moderne, duke përfshirë këtu edhe kulturën e dialogut dhe të logjikës në komunikim.
Çfarë mbetej për t'u marrë si model, ishte farsa e gjyqit partizan ose gjyqi 'fshatçe'; të cilat në vetvete nuk shërbenin për të ndriçuar fajin dhe për të gjetur fajtorin, por ishin veç prelud i ndëshkimit të fajtorëve të paradeklaruar. Shumë faqe të ligjërimit publik influencial gjatë viteve të regjimit komunist duket sikur i kanë shkruar prokurorët komunistë, duke i ngjyer penat në pështymën e indinjatës morale.
Kjo duket në retorikë, në ton, në etos, në pragmatikën e komunikimit me platenë; e përshkon ligjërimin publik fund e krye. Vetë modeli i ka rrënjët thellë, në nënvetëdijen kolektive, ose në mendësinë e turmës, së cilës masakra ose linçimi i duhen për t'u përftuar si e tillë, si turmë.
Prandaj i ka mbijetuar për bukuri ndërrimit të epokave, dhe gjëllin sot e kësaj dite në ligjërimin publik të një shoqërie cilësisht tjetër, si e sotmja në Shqipëri, e cila nuk mbështetet në luftën e klasave për t'u riprodhuar, as ka nevojë për praninë e armikut, që të përftojë vetveten dita-ditës.
Çfarë ndodh, bie fjala, me mënyrën si po përbaltet kreu i opozitës Rama nga kryeministri shqiptar Berisha dhe makina propagandistike e qeverisë dhe e PD-së është thellësisht anakronike; i përket një mendësie tjetër, të vjetruar, të shkatërrimit moral të kundërshtarit, të linçimit - i cili i shërben homogjenizimit të palës linçuese.
Dua të them se retorika e përçmimit dhe e asgjësimit të tjetrit përbën, vetvetiu, përftesë për riprodhimin dhe forcimin e pushtetit të ligjëruesit mbi turmën e publikut duartrokitës; pa lënë mënjanë këtu edhe faktin që, për shumë shqiptarë, e kaluara totalitare shpesh është edhe e kaluar personale, e mbarsur në kujtime dhe shprehi private.
Një tipar interesant i gjuhës totalitare del nga karakteri i saj abstrakt. Në ç'masë shqipja që flasim u bë opium për popullin?
Ardian Vehbiu: Kjo lidhet, besoj unë, me aspektin performativ të ligjërimit publik, i cili në kushtet sociale të komunikimit në Shqipërinë e djeshme përthyhej në dukurinë e ligjëruesit që nuk e fliste aq shqipen, sesa flitej prej saj; ose ligjërimin publik si një mjedis që ndërmjetësonte kalimin e ligjëruesve në hipnozë ose trans; dhe shndërrimin e vetë komunikimit publik në ritual riprodhues dhe fuqizues të marrëdhënieve të pushtetit.
Si realizohej kjo? Rrugët janë të shumta dhe unë jam përpjekur t'i përshkruaj në libër; për shembull, nëpërmjet përsëritjes së formulave gjuhësore, e cila shkon diçka më tej se përdorimi i klisheve. E thashë më lart se totalitarishtja imponohej si model ligjërimor i shumëfishtë, me të cilin çdo ligjërues publik duhej të konformohej.
Simbolikisht, është fjala për zhargonin e një pushteti total, që duhej përvetësuar nga folësit gjatë procesit të socializimit jo vetëm politik; nuk është rastësi që format më të sinqerta të këtij hipnotizimi ose drogimi gjuhësor i ndesh në hartimet e fëmijëve, si shenja të indoktrinimit.
Po kundërshtime të shoqërisë shqiptare ndaj totalitarizmit a ka pasur shqipja publike e atyre viteve?
Ardian Vehbiu: Kam një kapitull në libër ku flas për ligjërimin subversiv, ose qëndresën ligjërimore, e cila kryesisht manifestohej në hapësirën e ligjërimit privat; duke përfshirë këtu edhe përdorimin e dialektit dhe të hapësirës bisedore të ligjërimit, për të treguar refuzim ndaj homogjenizimit totalitar.
Pasi e kisha përfunduar librin tim, më ka rënë në dorë "Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë" i P. Kullës, ku përshkruhet, nëpërmjet një vargu rrëfimesh, historia e sfidës që ia bënte humori subversiv regjimit totalitar, i cili për nga natyra ishte tepër serioz, nuk e përballonte dot humorin.
Megjithatë, duhet të shtoj këtu se shqipja totalitare ishte sistem dyfish artificial; meqë konsistonte në një gjuhë të homogjenizuar jo vetëm nga pikëpamja e normës gjuhësore, por edhe sa u takon rregullsive ligjërimore (pragmatike, retorike); dhe një sistemi të tillë do t'i kundërvihej çdo akt krijues i mirëfilltë që vinte në diskutim homogjenizimin e sistemit. Këtu I. Kadareja ka të drejtë kur thotë se letërsia, si e tillë, i kundërvihej vetvetiu regjimit totalitar; sepse letërsia e mirëfilltë, në atë masë që arrin të shkëputet nga funksioni thjesht propagandistik, nuk e duron dot rregullsinë dhe disiplinën e homogjenizimit, madje e vë në diskutim, e merr në pyetje, e sfidon, i kërkon të çarat dhe luan me to, duke i dekonstruktuar.
Ashtu mund të shpjegohet, deri diku, edhe magjia e ligjërimit te një novelë si "Viti i mbrapshtë", e cila i kthente përmbys shumë klishe dhe norma ligjërimore të shqipes totalitare, duke e çliruar shqipen publike, si të thuash, nga këmisha e forcës.
Përsëri, kjo nuk ka të bëjë me standardin gjuhësor, ose drejtshkrimor; por me përdorimin e gjuhës në rrafshe më të larta, ku efekti thjesht artistik arrihet nëpërmjet rikombinimit të rregullsive të vjetra, tashmë të sfiduara për vdekje.
Tek kapitulli "Thashethemet politike" ju i merrni shembujt nga gazetat shqiptare, nga rubrikat "Dossier" ku nëpërmjet dokumenteve, proces-verbaleve, evokohen skena të gjalla të teatrit të diktaturës. Riciklojnë mediat në këtë mënyrë një gjuhë totalitare?
Ardian Vehbiu: Pa dyshim; madje jo vetëm riciklojnë, por edhe ia ofrojnë bujarisht një publiku adiktësh drogën e dikurshme.
Duhmën e ligjërimit të djeshëm e gjen jo vetëm në dokumentet e ricikluara, por edhe në kujtimet e sotme të protagonistëve të djeshëm, të cilat sa herë që botohen në mediat i referohen një bote të perceptuar dhe të rindërtuar sipas optikës totalitare; ose kombinimit djallëzor të manikeizmit me impunitetin.
Këtu nuk e kam aq fjalën në orvatjet për rehabilitim të heronjve të shkuar, as për rikthim të statujave në piedestalet; por në këmbënguljen për të mbajtur gjallë forma, rregullsi dhe modele ligjërimore të cilat i referohen një bote të organizuar sipas logjikës totalitare të fitimtarëve dhe humbësve, tanëve dhe armiqve, masave të mira dhe individëve të ligj, turmave dhe liderëve, e kështu me radhë.
Teatri i diktaturës, siç e quani ju, dhe shqipja totalitare ishin dhe mbeten të lidhura, madje të kyçura në përqafim; sepse më një anë është teatri totalitar që përfton ligjërim totalitar, por më anë tjetër është edhe ligjërimi totalitar, i mbijetuar dhe i ripërdorur, në trajta të arnuara ose kinse të dezinfektuara, që riprodhon teatrin totalitar - dhe kjo e fundit është më shqetësuese; sa kohë që shoqëria shqiptare është ende e traumatizuar nga e shkuara, madje aq e traumatizuar, sa shprehitë dhe gjurmët e shqipes totalitare gjithnjë rrezikojnë të ndjellin demonët dhe demonizimet e së djeshmes.
===================
Bio
I lindur në Tiranë më 1959, dhe i diplomuar në Universitetin e Tiranës, Ardian Vehbiu, u mor me kërkime në fushë të shqipes, me vëmendje të veçantë drejt semiotikës, historisë së kulturës e të ideve dhe raporteve të së shkuarës me të sotmen në shoqërinë shqiptare postkomuniste.
Më pas, gjatë qëndrimit disavjeçar në Itali studioi gjuhësi në "La Sapienza" të Romës, me profesorët De Mauro, Cardona, Belardi e Gradilone, e u angazhua si lektor i shqipes pranë katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Institutit Oriental të Napolit, drejtuar nga Fortino. Që nga 1996, Ardian Vehbiu jeton në Nju Jork, ku veç tjerash bashkëpunon me mediat në Tiranë e Romë dhe vijon kërkimet në lëmë të albanologjisë.
Autor në vitet '80 i një sërë artikujsh që trajtonin çështje të gjuhësisë shqiptare, Vehbiu u përqendrua më tej në analizën e komunikimit masiv në Perëndim, çka u kurorëzua me librin La Scoperta dell'Albania, botuar në Milano më 1996.
Midis viteve 2003-2008 nxjerr në dritë pesë vëllime me ese, nga të cilat i pari shtjellohet në trajtë meditimi për arkitekturën e Tiranës si ligjëratë e fosilizuar e pushteteve politike; tre të tjera "Zhargonet e komhit", "Kuzhinat e kujtesës", "Folklori i elitave", si përmbledhje artikujsh në lëmë të sociologjisë, semiotikës, historisë së kulturës dhe filozofisë së historisë; ndërsa "Fraktalet e shqipes" rrok etapa e problematika të rëndësishme të ligjërimit, në vështrim kulturor dhe sociolinguistik.
Interesat ndërdisiplinore e kanë ndihmuar autorin t'i qaset në mënyrë të re edhe studimit të gjuhës shqipe, si formë e kulturës kombëtare, por edhe si instrument i shqiptarëve, për të arritur dhe përsosur vetëdijen e tyre prej kombi modern.
"Në të vërtetë, asgjë totalitare nuk ka në shqipen e njësuar, në vetvete ose si sistem gjuhësor.
Kjo është gjuhë artificiale, si çdo gjuhë tjetër e njësuar, që mësohet në shkollat anembanë republikës dhe duhet përdorur, pak a shumë me detyrim, në komunikimin publik, veçanërisht të shkruar".
"Nevoja për standardizim, në vetvete, nuk ka të bëjë me totalitarizmin, sepse ndeshet në çdo shoqëri dhe kulturë të qendërzuar; prandaj duhet vërejtur se totalitare ishte metoda ose rruga që u ndoq për standardizimin; dhe jo vetëm të gjuhës, por edhe të gjitha formave të tjera të komunikimit publik - deri te dasmat dhe mbrëmjet e vallëzimit".
"Regjimi synonte që t'i impononte shqipes publike forma të tilla të njësuara, ose rregullsi të tilla njësuese, që vetë shqipja publike të shndërrohej sa më parë, siç u shndërrua, në vegël të propagandës totalitare dhe mjedis për riprodhimin e marrëdhënieve të pushtetit totalitar".
"Simbolikisht, është fjala për zhargonin e një pushteti total, që duhej përvetësuar nga folësit gjatë procesit të socializimit jo vetëm politik; nuk është rastësi që format më të sinqerta të këtij hipnotizimi ose drogimi gjuhësor i ndesh në hartimet e fëmijëve, si shenja të indoktrinimit".
|