Problemi i flirtit mund të duket në shumë forma, por jo çdoherë mund të shfaqen në çdo rast. Nga ato janë:
1. Vuajtja për problemet e partnerit dhe konfuzioni për veprimin e mëtejshëm, sidomos nga ana e grave.
2. Ftohja e flakës së dashurisë midis bashkëshortëve, shtoji kësaj edhe atë që bashkëshortja mund të ketë dëgjuar për bujarinë e tejskajshme të burrit të saj me gruan tjetër të pamoralshme.
3. Mospasja kohë për familjen, sidomos për bashkëshortin/en, duke u izoluar vazhdimisht.
4. Mungesat e shumta nga shtëpia apo daljet e njëpasnjëshme nga shtëpia.
5. Qëndrimet e gjata para kompjuterit.
6. Izolimi në një dhomë të veçantë për të ushtruar hobin e saj të veçantë, sikurse qëndrimi i vajzës larg familjes me argumentin e përsëritjes së mësimeve, apo dëshira për vetmi. Madje për këto është në gjendje të imagjinojë edhe probleme të paqena në familje. Ndërsa bashkëshortja për këto shkaqe mund të heqë dorë nga burri dhe fëmijët e saj. Të njëjtën gjë themi edhe për djemtë apo bashkëshortët.
7. Përdorimi i telefonit fiks apo celular për biseda të gjata, që të bëjnë të dyshosh.
8. Flirti i drejtpërdrejtë nëpër qendra tregtare, rrugë, parqe etj.
9. Grindjet e shumta midis bashkëshortëve.
10. Privimi i bashkëshortit/es nga e drejta natyrore në bashkëjetesë.
11. Krahasimi i padrejtë mes gruas së ndershme dhe dashnores së pakënaqur, apo mes burrit të ndershëm dhe dashnorit të pakënaqur.
12. Privimi i fëmijëve nga jeta e lumtur dhe e qetë. E gjitha ajo reflektohet negativisht në jetën familjare dhe në atë mënyrë shpërbëhet familja dhe shkaktohen probleme e fatkeqësi të tjera.
Pasojat e flirtit
Tradhtia konsiderohet si një nga mjetet më të mëdha të përhapjes së çrregullimit, ndyrësisë dhe takimeve haram. Dihet se çdoherë që vetmohet një burrë me një grua, shejtani aty është i treti, kjo është një metodë e shkatërrimit të familjeve dhe e prishjes së ardhmërisë të familjeve, grave, burrave, vajzave... Pasojat që vijnë si rezultat i tradhtisë, të cilat me doemos na duhet ti theksojmë kur flasim për këtë problematikë, janë:
1. Bërja e një gjynahu dhe mëkati të madh, që autori meriton të goditet me gurë deri në vdekje, nëse ka qenë i martuar.
2. Thyerja e hallkës bashkëshortore.
3. Hutimi mes hallallit dhe haramit, që e shoqëron vazhdimisht tradhtarin.
4. Përhapja e fëlliqësisë, meqë devijimi i burrit apo i gruas ka një rezultat në fund, e ai është ndodhja e më të keqes dhe largimi i etjes me diçka që Allahu e bëri haram.
5. Shkatërrimi i familjeve. Shumë raste divorci kanë si shkak tradhtinë. Ka njerëz të atillë, që e shfrytëzojnë mungesën e shokut për të bërë flirt me familjen e tij dhe kësaj gjëje mund ti ndihmojë fakti, se ndonjë grua nuk ngurron aspak të përgjigjet në telefon, apo edhe vetë ajo pëlqen lojën dhe flirtin. Kështu që këmbejnë muhabet mes tyre jo për të bërë kurvëri derisa këtë ta kuptojë burri i saj dhe aty menjëherë ndodh divorci dhe rritet armiqësia midis shokëve. Madje ka mundësi që flirtet të shkaktojnë divorcin edhe pasi të pendohet bashkëshortja.
6. Vetëkritika dhe ngushtësia që përjeton tradhtari për shkak të ndjenjës, se është duke bërë gjynah.
7. Shpenzimi i pasurisë dhe harxhimi pa kontroll. Për hir të dashnores/it e derdh pasurinë në mënyrë të palejuar.
8. Lëshimet e mëdha gjatë kujdesit për fëmijët dhe burrin apo gruan.
9. Tradhtia është vdekje për zemrën, mbytje për xhelozinë që duhet të ketë për anëtarët e familjes, mbjellje e shkaqeve për fitne dhe prishje e shoqërisë.
10. Zhdukja e besimit mes bashkëshortëve. Lidhja e tyre fillon e zgjidhet, ndërsa parimi i mirëkuptimit fillon e rrënohet çdo ditë e më shumë.
11. Ka mundësi të devijojë edhe pala e kundërt, duke dashur të hakmerret kundër bashkëshortit/es tradhtar/e.
12. Shkapërderdhja e fëmijëve. E tëra kjo, si viktimë e shfrenimit të babait dhe e nxitimit të nënës apo e kundërta.
13. Shumë gra ankohen për burrat e tyre flirtues, se ata nuk bashkëjetojnë mirë, ai e përçmon, e nëpërkëmb, madje e rreh, nëse ajo e debaton për atë haram. Ky është një paralajmërues i keq për ato shtëpi.
14. Flirti mund ta bëjë të varur njeriun. Ndaj do ta ketë vështirë ta braktisë atë edhe pas martesës.
15. Krijon një pamje model të keq për gjininë tjetër, qofshin ata anëtarë të familjes apo të tjerë. Më ka treguar një djalosh që kishte flirtuar me shumë vajza, kur deshi të pendohet dhe të martohet kishte parë mbi pesëdhjetë femra, por asnjëra nuk i kishte pëlqyer. Madje më tha: Dua një vajzë që nuk di ta përdorë celularin!
16. Flirti shkakton kurvërinë, kurvëria shkakton xhehenemin, nëse nuk pendohet tek Allahu për atë.
17. Si të bësh do të veprohet ndaj teje.... Sa burra që flirtojnë e kuptojnë se edhe dikush nga familja e tij është palë në ndonjë flirt tjetër. ...Zoti yt, nuk i bën padrejtësi askujt, pak për pak, nëse e shton edhe ty të shtohet.
Imam Shafiu ka thënë:
Ti, që shqyen nderin e njerëzve dhe këput dashurinë
Do të jetosh, por do ta humbësh ndershmërinë
Po të ishe i lirë dhe nga uji i pastër
Nderin e muslimanit do ta kishe në hatër
Nëse te dikush për dy mijë dinarë bën zina
Zinaja në shtëpinë tënde bëhet pa para
Ajo është borxh nëse ti e merr
Familja do ta lajë këtë mbaje mend.
18. Pasi flirti mund të shkaktojë kurvërinë, atëherë kjo e fundit mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore, sikurse sida, sifilizi, gonorreja etj. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin me të, ka thënë: Sa herë që përhapet fëlliqësia në një popull, doemos në mesin e tyre do të përhapen epidemitë dhe sëmundjet që nuk kanë qenë të njohura më parë.
19. Ka mundësi që tradhtari të marrë ndëshkimin që në këtë dynja para ahiretit me ndëshkimet e përcaktuara me sheriat[1], burg, skandal publik apo privim nga martesa dhe themelimi i familjes.
20. I shqetëson dhe i mërzit vëllezërit e tij muslimanë dhe shkakton fyerjen e tyre.
21. Është një ndikim negativ për sigurinë e shoqërisë, sepse këto sjellje shkaktojnë devijime në etikë, që rezultojnë me sëmundje shoqërore, apo ndofta edhe psikike. Ato mund të shkaktojnë përdorimin e narkotikëve, që prej tyre pastaj të burojë nëpërkëmbja e dispozitave, sulmi ndaj familjes, por ndoshta edhe vetëvrasja.
22. Prek sigurinë gjithashtu, sepse shkaktohen vrasje në shoqëri, për shkak të mbrojtjes së nderit nga ana e prindërve. Po ashtu e angazhon policinë, e cila në vend që të bëjë punë më të vlefshme, i duhet të merret me të.
23. Meriton dënimin e dhimbshëm. Allahu i Madhëruar ka thënë: Ata të cilët duan që ndyrësia të përhapet në mesin e besimtarëve do të kenë dënim të dhimbshëm në dynja dhe në ahiret. Allahu di, ndërsa ju nuk dini. (Nur 19).
24. Nëpërkëmbja e nderit, siç e përshkruan poeti me fjalët e tij të sinqerta:
Flirtuesi është një ujk që mashtron vajzat me hile
U thotë eja, eja të bëjmë një jetë si në vizatime.
Ajo i thotë kam frikë turpin dhe rrugën e pistë,
Kam frikë familjen, vëllanë e komshinjtë bile edhe fisin.
I poshtri i bën kurthe e i thotë mos u mërzit oj Bukurie!
Mjafton të takohemi, pastaj kemi njëmijë arsye
Mos u bëj ekstremiste dhe mos e burgos veten!
A nuk e sheh filanen? Pse nuk e sheh Xhemilen?
Nëse do një zgjidhje, edhe martesa është mundësi?!
Atëherë delja u dorëzua dhe i tha unë jam për ty.
Ah zinaja ndodhi, fëlliqësia dhe e keqja
Faqeziu tha tani për mua u shua etja
Tha i poshtri lamtumirë, se në pazar ka më lirë.
Nga arabishtja: Omer Berisha
(Revista Albislam nr.82)
|