Përsiatje për praninë gjuhësore të "pellazgjishtes së lashtë" (6)
Gjuha e folur dhe e shkruar prej grekëve të sotëm është shumë e larguar nga greqishtja e lashtë. Sa i përket kësaj greqishteje të lashtë, ka pasur, në fillim, katër dialekte: jonian/atik, eolian, arkado-qipriot (dialekt i ndikuar prej pellazgjishtes së lashtë) dhe dorian i quajtur dialekt perëndimor (dialekt i vonë i afërt me ilirishten). Por në shekullin IV para erës sonë dialekti jonik/atik u imponua gjithandej në Greqi. Pas pushtimeve të Aleksandrit, u përhap në Greqi një gjuhë e vetme e folur dhe e shkruar
: koineja, gjuhë e afërt me dialektin jonian/atik. Nga kjo koine ka dalë greqishtja mesjetare, ose greqishtja bizantine: gjuhë zyrtare e perandorisë bizantine (nga shekulli XI deri në shekullin XV). Kjo gjuhë diturake kishte zëvendësuar latinishten. Ajo është përdorur në gjithë pellgun mesdhetar. Evangjelistët e parë u përkthyen nga armenishtja në greqisht. Shën Pali e fliste lirisht greqishten. Nën pushtimin otoman (1453-1821) greqishtja bizantine u kthye në «demotikishte» domethënë në gjuhë të popullit: gjuhë e ndikuar nga latinishtja, shqipja, turqishtja dhe sllavishtja. Por me krijimin e shtetit grek më 1820 grekët deshën të hiqnin qafe ndikimin turk dhe krijuan kathareusën domethënë një gjuhë «të pastruar». Një gjuhë diturake, puriste, arkaizuese u bë gjuhë zyrtare (dokumente zyrtare, etj.). Populli vazhdonte të fliste nga ana e vet, përditë, demotiqishten. Përveç, u muar vesh, në disa krahina të shpërndara të Greqisë ose të Ballkanit ku disa xhepa të kulturës pellazgo-shqiptare i bënë ballë «demotikishtes» dhe dyndjeve të ndryshme. Në fillim të shekullit XX kathareusa u kundërshtua dhe për një kohë të gjatë u kritikua dhe u fshikullua si gjuhë e vdekur. Më 1975 kathareusa dështoi. Qeveria greke adoptoi dhe rivendosi përfundimisht demotikishtën (me disa ndihmesa të kathareusës) më 1976 dhe më 1981 Greqia filloi një reformë thelbësore të drejtshkrimit. U tha, në Greqi ka pasur gjithmonë «xhepa» ku flitej dhe ku flitet edhe sot arvanitshja (dialekt shqip i Greqisë), pa harruar Epirin e jugut të quajtur «Çamëri » në shqip (pjesë që ndodhet në Greqi të veriut ku flitet një dialekt i afërt me shqipen toske). Fatkeqësisht janë të shumtë banorët epirotë shqiptarë të zhvendosur prej grekëve në Anadollin perëndimor, si «shkëmbim», (më shumë se 450.000) midis 1922 dhe 1924 kundrejt një milioni e gjysmë grekësh të Turqisë. Le të mos harrojmë se heronjtë e pavarësisë greke (Boçari, Cavalla, Kanari, etj.) ishin me origjinë shqiptare (arvanitas). Kjo është arsyeja që këta të fundit u shprehën në shqip gjatë ndërhyrjeve të tyre në parlamentin grek të asaj kohe. Kjo nuk do të thotë se shqipja ishte gjuha kryesore në Greqi ose që ajo flitej gjithandej.
Jo! Greqishtja e lashtë (edhe pse baza e saj përbëhet nga një fond pellazgjik) ishte bërë një gjuhë më vete dhe veçanërisht varianti i vonë i saj Koineja që flitej duke filluar nga shekulli VIII/VII para erës sonë. Po shënojmë se Filipi II i Maqedonisë ngarkoi Aristotelin t’i mësojë greqishten birit të vet Aleksandrit III, i quajtur Aleksandri i Madh. Është e qartë se sot jemi larg nga kjo greqishte e lashtë. Sidoqoftë unë nuk mendoj se, duke bërtitur fort që greqishtja, gjuhët e botës, madje të gjithë botës janë me origjinë pellazgjike, ky pohim bëhet i jo besueshëm për specialistët seriozë dhe dijetarët që meritojnë këtë emër. Për rrjedhojë, nuk duhen shtuar pohime të tilla (pa prova të besueshme, pa qëndrueshmëri shkencore) gjithandej në media dhe në disa libra, sepse kjo mund t’i dëmtonte dyfish veprat serioze, ndërtimi, metodologjia, kërkimet e thelluara, referimet e pakundërshtueshme, argumentet provuese dhe analizat me vend veç e nderojnë shkencën dhe, për rrjedhim, rivendosin një të vërtetë të mënjanuar për shumë kohë ose fare të mbuluar. Vetëm me këtë mënyrë do mund të binden shkencëtarët seriozë dhe ata që të heshturit. Kësisoj « shkenca » do të shpëtohet dhe kjo do t’i kthejë, gjithashtu, dinjitetin dhe krenarinë popullit shqiptar kudo që jeton.
Po shtoj, së fundi, se që nga rënia e komunizmit në Shqipëri të shumtë janë librat që dalin në shqip, të shkruar prej shqiptarësh ose të huajsh të përkthyer në shqip. Liria e shprehjes (kjo më kënaq) dhe e botimit kanë lindur një shumicë shkrimesh jo gjithmonë të besueshme në planin e përpjekjes dhe metodës shkencore. Imagjinata të papërmbajtshme, pohime fantaziste, siguri pa argumente të prekshme u derdhën nga të gjitha anët duke e shtuar edhe më pështjellimin e mendjeve. Dhe me të vërtetë nuk duhet që në emër të lirisë së shprehjes t’i lejohet vetes të thotë gjithçka dhe veçanërisht të pavërteta ose siguri të rrema, të cilat, in fino, dëmtojnë njohjen e së Vërtetës. Dhe me të vërtetë nuk jam gjithmonë dakord me Aristidh Kolën që i përzien pak si shumë pellazgë, grekë, ilirë dhe që nuk merr parasysh origjinën e vërtetë të grekëve, me D’Angély-në (gruaja e të cilit ishte shqiptare e jugut) për të cilin shqiptarët janë në zanafillë të gjithçkaje, tamam sikur vetëm zoti i mirë të mos ishte pellazg ose shqiptar ! Sa i përket së ndjerës Nermin Vlora Falaschi, e njoha me kundërshtimet dhe disa ngurime të mia pikërisht për disa pika gjatë një takimi në Romë para disa vitesh. Gjithashtu nuk jam gjithmonë dakord me Skender Rizajn që bën disa pohime (pa prova) për origjinën e shqiptarëve, të cilat janë pak larg realitetit, veçanërisht lidhja që ai bën me Islamin ; nuk jam dakord gjithashtu me disa pohime të Benlëvit, Faverialit dhe disa shqiptareve të reja, midis të cilave Elena Kocaqi, Shpresa Musaj Omer, etj. Sa për Niko Stillon, nuk e kam lexuar ende librin e tij. Për të përfunduar do të citoja emrin e Martin Bernalit i cili në « Black Athéna » u jep grekëve origjinë “afrikane” ! Fatkeqësisht janë të shumtë autorët (të vjetër a të rinj) që nuk kanë marrë parasysh përmasën parahistorike, historike dhe kronologjike në kërkimet e tyre veçanërisht etnogjuhësore dhe që sidomos kanë marrë liri sa i përket formimit fillestar të gjuhëve të Evropës. E çmoj veten si dikë të panjollë dhe shumë të rreptë në studimet dhe kërkimet e mia dhe ndershmëria ime shkencore nuk më lejon të trajtoj një subjekt, ose të gjykoj çfarëdoqoftë dhe këdoqoftë pa pas studiuar, kontrolluar dhe verifikuar të gjitha treguesit, maksimumin e argumenteve, të verifikimeve dhe të elementeve të besueshme. Nuk pohoj kurrë asgjë pa prova, pa argumente të besueshme dhe studimet dhe kërkimet e mia janë pa pikë sentimentalizmi, favoritizmi ose shovinizmi : këto të meta nuk i përkasin një kërkuesi të vërtetë ose të një dijetari të vërtetë. Jam gjithçka, veç fantazist jo.
Parashtrimi i pranishëm nxit që të mos vihet « gjuha » para « historisë » për të përligjur paraardhjen e popullit shqiptar në Evropë. Për sa i përket tezës (doktoratës) që po përgatit në Universitetin e Sorbonës, ajo do të paraqitet pas dy vjetësh. Në të do t’i lë parësinë historisë, arkeologjisë, antropologjisë, studimit dhe analizës së teksteve antike, mitologjisë, duke futur në të edhe epopetë homerike. Në fund etnogjuhësia do t’i përmbyllë punimet e mia. Pra nuk do të jetë një tezë vetëm për gjuhën pellazgo-shqipe. Si e kam thënë edhe në një krye pararendës « nuk mund të vihet qerrja para qeve » !