
100 vjetori i betejës së Kaçanikut (6)
Kjo ishte planifikuar qysh më herët, sepse këto dy gryka e shkëputnin ushtrinë turke në Kosovë dhe e pamundësonin ardhjen e ushtrisë turke nga Selaniku, Manastiri e Shkupi. Këto dy gryka, e sidomos ajo e Kaçanikut e paralizonte Perandorinë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit.
Gryka e Kaçanikut ruhej nga krye-ngritësit e Anamoravës, të Preshevës dhe kuptohet të Kaçanikut, ndërsa komandant ishte Idriz Seferi. Qëllim kryesor i kryengritësve ishte që ta marrin hekurudhën që lidhte Shkupin me Mitrovicën. Sipas shtypit serb komandës ushtarake osmane i zihej për të madhe që kishte lejuar që kryengritësit shqiptarë të marshonin drejt Kaçanikut. Forcat shqiptare rreth 3 mijë vetë, të prirë nga Idriz Seferi ishin strehuar në malet e Beqir Sadovinës dhe më 23 prill marshuan drejt Kaçanikut, e morën Shkallën e Kaçanikut dhe e zunë Grykën te Guri i Shpuem, kurse të nesërmen në orën 7,30 e ndalën trenin që vinte nga Shkupi dhe pasi që bënë kontrollin e trenit i çarmatosen 40 ushtarë e oficerë turq, por nuk i keqtrajtuan. Në vazhdim kontrollimi bëhej, dhe trenat qarkullonin drejt Mitrovicës normalisht, por pa ushtarë turq. Më 27 prill qarkullimi i trenave ishte ndërprerë, kurse pushteti osman edhe zyrtarisht prijës të kryengritësve të Kazasë së Gjilanit i kishte shpallur Idriz Seferin, Adem dhe Mustafë Kabashin nga Kabashi, Ramë Abdylin nga Pozhrani, Salih Kupinën nga Tërpeza, Hasan Lutën, Katil Ahmetin dhe Feti Proshin. Kryengritësit nga Presheva, Gjilani, Kaçaniku e Tetova kishin yënë pritat në të dy anët e Grykës së Kaçanikut, ashtu sikurse edhe kishte qenë planifikuar që më parë. Për këtë ngjarje konsuli serb në ditarin personal kishte shkruar.
Luftimet në Grykën e Kaçanikut
Gryka e Kaçanikut ishte bllokuar nga të dy anët nga kryengritësit kah Shkupi dhe Ferizaji. Turgut Pasha në cilësinë e komandantit suprem të ushtrisë osmane në Kosovë u kshte bërë thirrje kryengritësve që të shpërndaheshin dhe të shko-nin nëpër shtëpi të veta. Ai u përpoq ta përdorë metodën e dinakërisë dhe për atë qëllim më 27 prill i kishte ftuar në Prishtinë të gjithë krerët shqip-tarë nga të cilët kishte kërkuar që të ndikojnë te kryengritësit që të qetësohen dhe të shpërndahen nëpër shtëpi. Këtë komanda ushtarake e kishte bërë me qëllim që të përfitojë në kohë deri sa të arrijnë forca të reja nga Selaniku dhe Stambolli. Në ndërkohë Turgut Pasha kishte tubuar Këshillin ushtarak të luftës me komandantët dhe gjeneralët: Shefki Pasha, Ali Pasha, Xhavit Pasha si dhe Daut Pasha. Turgut Pasha ishte i sigurt në fitoren e tij, kështu që konsullit serb Nenadiq në Stamboll i kishte deklaruar se “ së shpejti do të nisemi në Ka -çanik ku do t’i kapim dhe do t’i vrasim prijësit kryengritës. Raportuesi shprehte rezervë ndaj atyre fjalëve të tij sepse “ në ralitet ishte shtuar dyshimi i portës në fitore (31). Pas përgatitjeve intenzive dhe të gjithanshme nga Këshilli i ministrave ishte dhënë urdhër që forcat ushtarake nga Ferizaj dhe Shkupi të nisen drejt Kaçanikut. Nga Ferizaj ishin nisur 30 batalione të këmbësorisë me altileri dhe reparte të kalorësisë në tri drejtime: Krahu i majtë nën drejtimin e osman Pashës me 8 batalione ushtarësh, 2 bateri topash malor dhe 4 mitralozë, kishte marshuar në drejtim të Pozhranit, Viti, Korbliq, për të vepruar nga ana e veriut dhe për të arritur në Han të Elezit. Krahu i djathtë nën komandën e Xhavit Pashës me 10 batalione, me 2 bateri topash, me 4 mitralozë ishte planifikuar të vepron -te në jugpërendim, kështu që kishte marshuar drejt rrjedhës së Lepencit. Kolona e tretë qendrore e udhëhequr nën komandën e vetë Shfqet Pashës me 8 batalione, me 4 bateri topash dhe me 8 mitralozë kishte marshuar në drejtim të Ferizajit, Komogllavë, Begracë, Nikoc për të arritur në Kaçanik të Vjetër. Ushtria e stacionuar në Shkup poashtu marshoi në tri drejtime. Një kolonë marshoi nëpër Quhor e Bllatë për ta sulmuar Demjakun. Disa batalione që ishin nisur nga Shkupi, të udhëhequr nga Mehmet Pashë Dervalla pasi që e kishin thyer rezistencën e shqiptarëve kishin depërtuar në Gllobiçicë dhe kishin arritur që t”i vendosin topat në një lartësi që dominonte në Grykën e Kaçanikut. Kolona e tretë nga Shkupi ishte nnisur në drejtim të Kumanovës, të Preshevës, të Bujanocit, Gjilanit. Kështu forcat kryengritëse ishin të rrethuara në të gjitha anët në mes Gjilanit, Karadakut, Ferizajit, Shkupit, Maleve të Sharrit, Anamoravës dhe Kaçanikut. Para se të bëhej rrethimi i hekurt i kësaj pjese të Kosovës, Shefqet Turgut Pasha kishte urdhëruar që të shkatërrohen të gjitha fshatrat shqiptare ku do të kalonte ushtria turke me qëllim të frikësimit të popullsisë dhe të zbrajes së kryengritësve shqiptarë për ta ndërprerë luftën. Kolona e majtë e komanduar nga osman Pasha i kishte shkatërruar fshatrat kabash, Binçë, Pozharan e të tjera në të cilat ishin fortifikuar fshatarët të cilët forcave turke u shkaktonin dëme të mëdha, kurse konsuli serb kishte shënuar “Osman Pasha hyri në Kaçanik me një ushtri tejet të shkatërruar” kolona e Shefqet Turgut Pashës pasi që u përforcua me njësi të reja nga Ferizaji vazhdoi rrugën në drejtim të Kaçanikut. Ushtria e kolonës së dytë dogji radhazi fshatrat Begracë, Stagovë, Runjevë, Verban dhe të tjera duke vrarë shumë civilë, gra e fëmijë. Të gjitha kolonat marshuan drejt Grykës së Kaçanikut. Më 29 prill kishte filluar beteja më e madhe ndërmjet kryengritësve dhe forcave turke. Sipas burimeve historike ushtria osmane kishte angazhuar rreth 9 mijë këmbësorë, 2 batalione të altilerisë dhe repartet e kalorësisë. Turgut Pasha me me altileri rrafshoi për toke fshatrat përreth Grykës së Kaçanikut. Luftimet më të rrepta u zhvilluan prej 30 prillit deri më 2 maj 1910, kur në Shkallë të Kaçanikut luftohej fyt për fyti me ç’rast mbeten shumë të vrarë në të dy anët.
Kryengritësit luftuan me guxim të hatashëm gjë të cilën e pranuan edhe oficerët osmanë, të cilët ishin mahnitur me trimërinë dhe disiplinën e tyre. Kryengritësit pas 2 majit u tërhoqën në drejtim të Karadakut dhe të Anamoravës, prej nga e vazhduan luftën edhe shumë kohë. Një pjesë e kryengritësve u tërhoq në drejtim të Grykës së Carralevës për ta vazhduar luftën për mbrojtjen e Rrafshit të Dukagjinit si dhe qytetin e besa-besës shqiptare Prizrenin. Kështu përfundoi një prej betejave më të mëdha nga kryengritësit shqiptarë nën udhëheqjen e Idriz Seferit. Luftimet vazhduan në Carralevë e gjetiu. Turdut Pasha pas tërheqjes së kryengritësve u doli prapa shpine dhe u përpoq që t’i rrethonte me qëllim të shpartallimit sa më të shpejtë.
Lufta e Komogllavës
Pasi kryengritësit u tërhoqën nga Gryka e Kaçanikut, Idriz Seferi me shtabin e vet ndodhej në Komogllavë, ku kishin zënë pozita dhe me qëllim të vazhdimit të luftës drejt Karadakut. Sipas studiuesit turk Syjelman Kulçe më 2 maj 1910 ishte zhvilluar një betejë e madhe. Sipas këtij historiani ishte zhvilluar luftë e rreptë ku turqit kishin humbur oficerë dhe 113 ushtarë, ndërsa sipas kryekomandantit dy batalione turke kishin shtënë kundër njëri tjetrit për shkak të rrëmujës që ishte krijuar. Në këtë luftë vetë komandanti Idriz Seferi ishte përballur me ushtrinë turke dhe ishin vrarë 12 ushtarë turq. Lufta ishte e rrufeshme, por e pabarabartë, sepse Idriz Seferi ishte me fare pak ushtarë, kurse forcat turke ishin në ofanzivë dhe shumë më të mëdha. Në saje të shkathtësisë Idriz Seferi shpëtoi bashkë me suitën e vet, kurse luftërat nuk u ndërprenë deri më 1912. Gjatë luftimeve më 1910 Idriz Seferi dy herë është shpallur i vrarë nga komanda e ushtrisë osmane.