Ribashkimi kombëtar e drejtë historike dhe kombëtare e popullit shqiptar(5)
Është e kuptueshme se tërë procesin e ribashkimit kombëtar, duhet mbështetur në klimën e volitshme që është krijuar në kuadër të vet shqiptarëve dhe të faktorit ndërkombëtar për korrigjimin e gabimeve historike dhe kthimin e borxhit ndaj shqiptarëve. Vendet e Evropës, tani duhet t’i vret ndërgjegjja për atë që u bënë shqiptarëve në të kaluarën dhe tani duhet t’i shpaguajnë mëkatet që kanë bërë gjatë shekujve, duhet të përkrahin vetëvendosjen e shqiptarëve, e drejtë e jona historike dhe kombëtare, për të formuar shtetin tonë, i cili nuk do të quhet, as Shqipëri e Madhe, as e vogël, as natyrale, por vetëm Shqipëri, në kuptimin një komb një shtet. Ndihmesa e tyre nuk do të jetë bamirësi, por drejtësi ndaj kombit shqiptar. Andaj, derisa baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e eminentes evropiane kanë “konstruktuar” kufijtë e Ballkanit me gërshërë në dëm të trojeve dhe shqiptarëve, bijtë e tyre tani duhet të “konstruktojnë” modelin dhe formën më të mirë evolutive, me dialog e paqe. Me këtë rast do t’iu kthehet borxhi dhe do të përmirësohen shtrembërimet historike ndaj shqiptarëve, si dhe do të shuhen aspiratat dhe programet hegjemoniste dhe shoviniste sllavo-ortodokse ndaj trojeve dhe shqiptarëve.
. Fillimi i shekullit XXI të jetë në të mirë të popullit shqiptar dhe ka filluat të jetë i tillë.
U bënë ndryshime rrënjësore politiko-shoqërore dhe demokratike në Shqipëri, erdhi deri te pavarësia e Kosovës, e cila u bë me shumë sakrifica njerëzore e ekonomike, por paraqet një datë të veçantë për historinë tonë kombëtare dhe hapin kryesor drejtë ribashkimit. Ndonëse, me këtë rast, u bë vetëm shërimi i një pjese të plagës shekullore, përkatësisht përmirësimi i një pjese të shtrembërimit të padrejtësive historike kombëtare të shqiptarëve. Mirëpo, shtrohet pyetja, pse zotërinjtë ndërkombëtar atë që e kërkojnë prej shqiptarëve, që tu sigurohen të drejtat e pakicave, një gjë të tillë nuk e kërkojnë në Maqedoni, kur dihet se në këtë vend shqiptarët përbëjnë mbi 40,0% të popullatës së përgjithshme. Madje, pse këta zotëri kërkojnë nga ne respektimin e të drejtave të pakicës serbe, e nuk e bëjnë një gjë të tillë edhe për shqiptarët që jetojnë në Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoni, të cilët as për së afërmi nuk i kanë të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë.
Statusi i shqiptarëve në Kosovën Lindore (Presheve, Bujanoc, Medvegjë).
Territoret e këtyre komunave janë autoktone shqiptare, të uzurpuara shumë kohë më parë nga Serbia. Andaj, në momentin aktual, spektri politik shqiptar në këto komuna, duhet të punojë në drejtim të formimit të autonomisë së plotë politike, me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Deri sa të jenë nën juridiksionin e Serbisë, shqiptarët në këto komuna, për realizmin e të drejtave të tyre kombëtare, duhet të kërkojnë parimin e reciprocitetit me serbët në Kosovë. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se, të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, të njëjtat duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në këto tri komuna. Nuk duhet pranuar kurrfarë këmbimi territorial të Luginës së Preshevës, me cilindo territor të Kosovës, sepse territori administrativ i saj është i pa ndryshueshëm në një anë, dhe nuk mund të bëhet këmbim territoresh shqiptaro-shqiptare, në anën tjetër.
Statusi i shqiptarëve në Mal të Zi.
Shqiptarët në këtë vend, duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore dhe kombëtare, aq më parë kur dihet se ata ishin faktorë me rëndësi që i ndihmuan Malit të Zi të shkëputet nga Unioni me Serbinë. Mos tjetër, Mali i Zi si kundërshpërblim për këtë, shqiptarëve duhet t’ua njehë të drejtat historike dhe kombëtare. Po ashtu, edhe për shqiptarët në Mal të Zi duhet të vlejë e drejta e tyre historike, kombëtare dhe universale për vetëvendosje dhe rikthimin e këtyre trojeve në gjirin e trungut kombëtar nga janë shkëputur.
Statusi i shqiptarëve në Greqi
Problemi i çamëve tani është më i komplikuar dhe më kompleks. Mirëpo, si do që të jetë aktualisht çamëve në Greqi duhet t’u garantohen të gjitha të drejtat njerëzore dhe kombëtare, t’u kthehet dhe t’u pranohet pasuria e patundshme dhe të ndërpritet shkombëtarizimi i tyre. Çamët në Greqi, duhet të kërkojnë parimin e reciprocitetit me grekët në Shqipëri. Me fjalë të tjera, atë që e gëzon minoriteti grek në Shqipëri, duhet kërkuar të njëjtën gjë edhe çamët në Greqi. Në fazat e mëtejme, edhe çamëve duhet garantuar e drejta e vetëvendosjes, si e drejtë universale, historike dhe kombëtare e tyre.
Jam i vetëdijshëm se ajo që u tha më sipër rreth çështjes së ribashkimit kombëtar shqiptar, paraqet një problem mjaft të ndërlikuar politik, jo vetëm ballkanik, por edhe evropian e botërore. Kuptohet, këto procese paraqesin probleme mjaft të rënda dhe politikisht mjaft të ndërlikuara, mirëpo ribashkimi paraqet të drejtë të patjetërsueshme historike dhe kombëtare të shqiptarëve, dhe se zgjidhja e këtij problemi do të sigurojë stabilitet të përhershëm në Ballkan, që është në interes të të gjithë popujve që jetojnë në këtë nënqiell të botës. Ka kaluar koha kur popujt e Ballkanit janë marrë vesh përmes tytave të pushkëve, tani duhet të ulen dhe t’i zgjidhin problemet me dialog e marrëveshje, që do të jenë në interes dhe për prosperitetin e të gjithë popujve që jetojnë në këtë pjesë të botës dhe njëherë e përgjithmonë të flaket hasmëria në mes tyre. Duhet ta dinë të gjithë se në Ballkan, nuk ka popuj të mëdhenj dhe të vegjël, por ka vetëm popuj të barabartë.