Ribashkimi kombëtar e drejtë e patjetërsueshme historike dhe kombëtare e popullit shqiptar
Faik Konica: “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, e nëse jemi të ndarë, e mundura bëhet e pamundur”.
Që në fillim duhet të sqaroj pse unë përdori termin “ribashkim”, e jo “bashkim”. Në këtë rast me fjalën bashkim, kuptoj se nuk kemi qenë një tërësi dhe tani dëshirojmë t’i bashkohemi dikujt. Ndërkaq, fjala ribashkim në vete nënkupton proces, d.m.th. tregon se dikur kemi qenë një trung dhe me dhunë na kanë shkëputur nga ai, dhe tani kërkojmë që pjesa t’i rikthehet tërësisë, pra të ribashkohen trojet dhe populli i shpërndarë shqiptar Andaj, lidhur me këtë çështje tonë madhore gjithëkombëtare, për fat të keq ende të pa zgjidhur, po e filloj me mendimin e të madhit, rilindësit dhe patriotit Faik Konica, i cili thoshte: “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, e nëse jemi të ndarë, e mundura bëhet e pamundur”. Deri më tani, për zgjidhjen e drejtë të çështjes sonë gjithëkombëtare, kishim dy nëntor, e unë do të thoja që për ribashkimin kombëtar nevojitet të kemi Nëntorin e tretë, i cili njëherë e përgjithmonë do të zgjidhë çështjen tonë gjithëkombëtare. Për nëntorin e Tretë, të angazhohen institucionet tona shtetërore si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë dhe i gjithë spektri politik në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporë. Kjo nuk paraqet tabu temë, por realitet, dhe, kjo do të ndodhë një ditë dhe në një kohë të afërt, që varet kryesisht nga ne shqiptarë.
Shqiptarëve iu mohua formimi i shtetit të tyre në baza nacionale dhe parimit të vetëvendosjes
E kaluara historike për kombin shqiptar ishte e hidhur dhe tragjike. Shqiptarëve iu bënë padrejtësi të mëdha, shtrembërime historike, aneksime, uzurpimi, spastrime territoriale etnike, e çka jo tjetër, të cilat filluan shumë herët, por më agresive ishin më Mesjetë, kurse më brutale e më barbare ishin ato që u bënë në pjesën e dytë të shekullit XIX dhe gjatë tërë shekullit XX. Programi nacional sllavo-ortodoks hegjemonist dhe antishqiptar filloi që nga Garashanini më 1844, vazhdoi me krizën e Lindjes 1878, me Reformën kolonizuese agrare të Jugosllavisë së Versajit 1919-39, me elaboratin famëkeq “Shpërngulja e shqiptarëve-Iseljavanje arnauta”) të akademik Vaso Çubrilloviqit më 1937 dhe “Zgjidhja e çështjes së pakicave kombëtare” më 1944, Marrëveshjes serbo-turke më 1939 për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, duke përfshirë Jugosllavinë e AVNOJ-it, e cila aneksoi mbi 60,0% të trojeve dhe popullatës shqiptare. Kjo e fundit, nuk u kënaq me kaq. Me qëllim të thyerjes dhe të shpërbërjes së kompaktësisë gjeografike e kombëtare, territoret etnike dhe shqiptarët i ndau në katër njësi territoriale: në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe në Mal të Zi, e cila kishte për qëllim zvogëlimin e influencës, copëtimin dhe shndërrimin e shqiptarëve
Shekulli XIX njihet me formimin e kombeve dhe të shteteve në baza nacionale, një komb një shtet, sipas së drejtës së vetëvendosjes, i cili proces i përfshiu edhe popujt e Ballkanit, por jo edhe shqiptarët. Shqiptarëve iu mohua formimi i shtetit të tyre në baza nacionale dhe parimit të vetëvendosjes.
Traktati i Londrës më 1913 nga trojet etnike shqiptare shkëputi 52 mijë km2,
Andaj, në vend që të formohet shteti shqiptar në baza nacionale, Traktati i Londrës më 1913 nga trojet etnike shqiptare shkëputi 52 mijë km2, duke bërë të mundur formimin e Serbisë së Madhe, Greqisë së Madhe dhe Malit të Zi të Madh. Ndonëse, me qëllim të realizimit të drejtës së tyre historike e kombëtare, shqiptarët me shekuj përmes kryengritjeve, lidhjeve, kongreseve etj., luftuan dhe treguan se kurrë nuk e njohin Traktatin e Berlinit, të Londrës, vendimet e Versajës e as të AVNOJ-it.
Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, e që nuk është mundur të thuhet më gjerë për shkak të hapësirës së kufizuar, me të drejtë mund të konstatohet se ndarja politiko-administrative e Ballkanit është bërë në mënyrë shumë artificiale. Andaj, është imperativ kohe, që të shikohet historia e popujve të Ballkanit të bëhet revidimi i kufijve politiko-administrativ në baza historike, dhe komponentës kombëtare e kompaktësisë gjeografike. Kjo nuk duhet të nënkuptojë që ne kërkojmë territore të huaja, por nuk pajtohemi që trojet etnike dhe popullata shqiptare të mbetet e okupuar në cilindo vend tjetër të Ballkanit. Rikthimi i trojeve dhe popullatës shqiptare në trungun e vet është e drejtë historike dhe kombëtare e jona, dhe ribashkimi kombëtar nuk paraqet tabu temë, por shumë aktuale e të arsyeshme. Andaj, e padrejta historike dhe kombëtare, që u është bërë shqiptarëve, dhe problemet aktualisht me të cilat ballafaqohet populli shqiptar, është argumenti më i mirë që tregon se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur. Siç dihet në mesin e popujve të Ballkanit, çështja shqiptare paraqet problemin më të madh dhe plagën më tragjike kombëtare, andaj, rishqyrtimi dhe revidimi i kufijve administrativ në vendet ku gjenden shqiptarët është imperativ kohe. Në kontekst të kësaj duhet cekur se, ribashkimi kombëtar i shqiptarëve, nuk anekson toka të huaja dhe nuk rrezikon asnjë popull të Ballkanit, por rikthen pjesën e trojeve dhe të popullatës së vet të aneksuar më parë nga vendet fqinje, në kufijtë natyror. Andaj, pa u shëruar këto plagë shekullore dhe pa iu njohur e drejta e vetëvendosjes edhe shqiptarëve, në këtë pjesë të botës nuk mund të ketë paqe, qetësi dhe popuj të barabartë. Deri sa në kohën e kaluar na i mohuan këtë të drejtë, tani në fillim të shekullit XXI, ku bota është vërshuar me demokraci është imperativ kohe që çështja shqiptare të shtrohet e të zgjidhet drejtë e mbështetur në parimin e vetëvendosjes.