Ribashkimi kombëtar e drejtë historike dhe kombëtare e popullit shqiptar (3)
Është larg mëndësh që të sigurohet paqja në Ballkan, duke ua mohuar të drejtën dhe duke i mbajtur të ndarë popullin dhe trojet shqiptare. Kuptohet, ribashkimin kombëtar nuk e kërkojmë me luftë, por me dialog, me paqe, me marrëveshje, me procese demokratike, me procese integruese ekonomike e shoqërore, e mbi të gjitha me argumente historike e kombëtare, si dhe në të drejtën e vetëvendosjes.
Proces shumë i ndërlikuar
Me këtë rast ne kërkojmë sundimin e tokave tona dhe ribashkimin e tyre në një shtet, duke u bazuar në parimin: një komb, një gjuhë, një shtet, një flamur. Andaj, çfarëdo ideje tjetër në këtë drejtim, pos ribashkimit kombëtar, do të jetë e gabuar. Kështu, thoshte edhe i madhi Aleksandër Xhuvani: “Shqipëria etnike, e vetmja alternativë”. Jemi të vetëdijshëm se për këtë proces mjaft të ndërlikuar, që prek edhe të drejtën ndërkombëtare, nevojitet: së pari, gatishmëria e vet shqiptarëve, dhe, së dyti, mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Mirëpo, sido që të jetë, është imperativ kohe që të hiqen “gardhiqet” mes tokave shqiptare dhe njëherë e përgjithmonë të frymonim lirë dhe të jemi zot në shtëpinë tonë.
Në fund, kam guximin të jap mendimin tim personal, edhe pse nuk preferohen parashikimet individuale për çështje madhore, siç është ribashkimi kombëtar. S’ka dyshim se, ribashkimi kombëtar parqet një problem në vete dhe çështje shumë të ndërlikuar e komplekse, sepse në vete involvon procese politike ballkanike, evropiane e botërore në një anë, dhe reagime eventuale brenda vetë elementi shqiptar. Por sido që të jetë, shtrohet pyetja çka duhet bërë aktualisht, për t’i bërë hapat e parë drejtë ribashkimit.
Andaj, duke u nisur nga situata politike aktuale në Ballkan e Evropë, si dhe në vendet ku gjenden shqiptarët, për të filluar procesi i ribashkimit kombëtar, duhet ndërmarrë këto procese, si në vijim: 1. Hartimi i Platformës Gjithëkombëtare. Ky dokument duhet hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, duke përfshirë edhe institucionet e tjera shkencore, si dhe ekspert të të gjitha fushave, që do të paraqesë bazë për shtruarjen e formës, mënyrës dhe fazave të procesit të ribashkimit kombëtar. Bazë për hartimin e kësaj platforme duhet të shërbejnë: e drejta historike dhe kombëtare e shqiptarëve e mbështetur në parimin e vetëvendosjes, e drejtë e patjetërsueshme dhe universale e çdo populli, Lidhja shqiptare e Prizrenit, Kushtetuta e Shqipërisë, ku në preambulë (neni 8) thuhet: Shqipëria nuk heq dorë nga aspiratat për bashkimin kombëtar, vullneti i popullit shqiptar i shprehur përmes referendumit gjithëpopullor etj.
Qeveritë e dy shteteve shqiptare të formojnë një unionin ekonomik
2. Proceset integruese ekonomike dhe joekonomike. Në fazën e parë, proceset integruese ekonomiko-shoqërore do të paraqesin faktorë me rëndësi të veçantë drejtë ribashkimit. Që në momentin e dhënë, duhet filluar proceset integruese ekonomike shqiptaro-shqiptare, veçmas pa kurrfarë hezitimi dhe vonese këtë duhet ta bëjnë Shqipëria dhe Kosova. Për realizimin e këtij qëllimi, infrastruktura ekonomike, veçmas ajo rrugore (automobilistike dhe hekurudhore), do të jenë faktorë kryesor në proceset integruese dhe faktorë me rëndësi të veçantë për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare. Me ndërtimin e autostradës në pjesën e Shqipërisë dhe tani ta asaj në Kosovë, kjo tani më po bëhet realitet. Këto ndërlidhje shqiptaro-shqiptare do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor arsimor etj., dhe do të bëhen shkak i ofrimit dhe ribashkimit të popullit të ndarë shqiptar.
Shqipëria si dhe Kosova, duhet të hartojnë strategjinë e tyre të proceseve integruese politike dhe ekonomiko-shoqërore, së pari, mes vete dhe, së dyti, me të gjitha trojet etnike shqiptare. Sa u përket proceseve integruese ekonomike, nga ky moment u propozojmë dhe sugjerojmë qeverive të dy vendeve tona, që sa më parë të formojnë Unionin Ekonomik, si formën më të lartë të marrëdhënieve ekonomike bilaterale, me ç’rast do të bëhet qarkullimi i lirë, jo vetëm i mallrave, por edhe i të gjitha elementeve (faktorëve), siç janë: të fuqisë punëtore, kapitalit, shërbimeve, ideve etj. Në këtë drejtim është i nevojshëm hartimi i Strategjisë së përbashkët të zhvillimit ekonomik, ku do të përcaktohen kahet dhe prioritetet zhvillimore sektoriale dhe territoriale, kjo aq më parë kur dihet se në mes vete jemi komplementar, duke i llogaritur këto dy vende tona si tërësi unike kombëtare. Lidhur me këtë çështje, mendoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të formojnë organizma (trupa) të përbashkëta profesionale, si: Këshilla, komisioni, grupe ekspertësh etj., për hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore makroekonomike të përbashkëta gjithëkombëtare, të cilat procese njëkohësisht janë edhe në frymën e proceseve ballkanike e evropiane. Ndërkaq, sa u përket proceseve integruese joekonomike, duhet të fillohet menjëherë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë etj. P.sh. në ciklet e ulëta arsimore, duhet të kemi Abetaren e përbashkët, tekste të përbashkëta në histori, gjeografi, kulturë, muzikë, art etj. Në ciklet e larta arsimore, do të duhej të kemi më sa është e mundur plane dhe programe unike, tekste të përbashkëta nga grup autorësh nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera në nivel universitar. Me këtë ne do t’i japim përgjigje si serbëve, ashtu dhe atyre që nuk e kuptojnë (lexo: nuk duan ta kuptojnë) nocionin komb se ne shqiptarët kudo që jemi, kemi një gjuhë, një traditë, një kulturë, një histori, pra nuk jemi as kosovarë, as tetovarë, as preshevarë, por jemi vetëm shqiptarë. Andaj, edhe njëherë u themi zotërinjve që e mohojnë tërësinë e kombit shqiptarë me tezën e formimit të kombit kosovar, se e bëni një gjë të tillë për arsyes se në damarët e tyre nuk qarkullon dhe nuk ka mbetur më gjak shqiptari.