Vuajtjet dhe rezistenca e shqiptareve nëpër shekuj
Serbët e ikur nga Kosova, të vendosur në Beograd dhe qytetet tjera në Serbi e Vojvodinë, veçmas ata që kishin bërë krime, dispononin listat dhe adresat e shqiptarëve dhe i vizitonin duke i kërcënuar që të largoheshin sa më parë nga banesat, edhe pse ato ishin pronë e tyre legale.
Pas kryengritjes së Parë dhe të Dytë serbe të viteve 1804 dhe 1815 me formimin e Principatës serbe, veçmas gjatë luftërave serbo – turke në vitin 1877-78, numri i shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshore u zvogëlua në minimum?! Në “fillim të shekullit XX, në Beograd jetonin më pak se njëqind shqiptarë, të cilët kishin ardhur për kafshoren e bukës. Pas luftës së Dytë Botërore, numri i shqiptarëve në Beograd dhe në qendra të tjera industriale filloi të rritet, kështu që sipas të dhënave statistikore të vitit 1981, ky numër arrin në 8.212. Me gjithë këtë, realisht numri i tyre ishte mbi njëzetmijë, të ardhur nga të gjitha viset shqiptyare të pushtuara nga ish-Jugosllavia. Shumica e tyre ishin punëtorë fizikë, pastrues të rrugëve, sharrëxhi, punëtorë në ndërtimtarisë e tjerë. Pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966, jeta e shqiptarëve filloi të përmirësohej dukshëm. Kështu që një numër i bashkëkombësve tonë filloi edhe të shkollohej dhe të fitoi kualifikime profesionale në shumë fusha gjë ua mundësoi të punësoheshin në vende më të mira. Një numër i tyre, në bazë të “çelësit” politik, arritën të punësoheshin edhe në administratën republikane dhe federative. Kështu, dukshëm u përmirësua pozita materiale e shqiptarëve. Në mesin e tyre ishte edhe një numër mjaft i madh i shqiptarëve të komunës së Medvegjës, të cilët në qytetet Beograd, Sokobanjë, Bor, Aleksincë e në shumë qendra të tjera industriale anë e këndë Serbisë filluan të punojnë gjatë viteve ’50- ta dhe më pas. Llogaritet se gati çdo i shtati shqiptar i Medvegjës ishte i punësuar jashtë vendlindjes. Ata, me punën e vet të zellshme arritën të krijojnë një bazë solide materiale, ngritën standardin jetësor duke u ndihmuar familjeve të tyre në fshat, të shkollojnë fëmijët dhe të rinovojnë e shtëpitë e tyre dhe të ndërtojnë të reja. Gjatë viteve të shtatëdhjeta, një numër i konsiderueshëm i tyre, përmes ndërmarrjeve dhe individualisht arritën të punësohen edhe në botën e jashtme, në Gjermani, Zvicër, shtete arabe e tjera., me çka forcuan edhe më shumë buxhetin familjar. Kjo u mundësoi që të investonin në vendlindje dhe në Kosovë për blerjen e pronave dhe në ndërtimin e shtëpive familjare. Dihet se në Beograd, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore arriti të shkollohej një numër i shqiptarëve të Medvegjës, duke marrë edhe thirrje të larta profesionale dhe shkencore, ndër të cilët ishin: Zenel Hajdini, që studioi matematikën, Veli Dedi, inxhinier, Akademik Idriz Ajeti, albanologjinë e të tjerë. Profesori Idriz, në Beograd, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe punoi edhe si lektor dhe ligjërues i letërsisë shqiptare, ku edhe u doktorua. Këtu, edhe disa punëtorë fizikë, me shkollim pa shkëputje nga puna, arritën të shkollohen dhe të fitojnë tituj profesionalë, si Avdi Sahiti, që u bë ortoped i njohur në Klinikën Traumatologjike dhe Ortopedike në Dedinje të Beogradit, pastaj Beqir Sahiti, ekspert i traumatologjisë, Ahmet Dalipi, kuadër i lartë mjekësor në spitalin e përgjithshëm në Beograd e tjerë. Në Beograd jetuan, punuan dhe u shkolluan edhe shqiptarë të tjerë të Medvegjës, si në APJ, në organet republikane dhe federative e tjerë. Zymer Fazliu u bë pilot ushtarak shumë perspektiv, i cili nuk mundi të përparojë në profesion për “shkaqe të arsyeshme”. Feti Jakupi u shkollua dhe mbaroi Fakultetin e Politikologjisë dhe ushtroi detyra të ndryshme në LSPP të Serbisë. Sahit Hyseni, jurist i diplomuar, përveç detyrave të tjera, ishte edhe këshilltar në Kabinetin në Kryesinë e RSF të Jugosllavisë. Jeta e shqiptarëve të Medvegjës, si edhe e të gjithë të tjerëve, në Beograd dhe andej e këndë Serbisë u vështirësua pas vitit 1981, kur filloi shpërngulja e tyre, e cila mori përmasa shqetësuese pas vitit 1990, kur u nxorën ligje diskriminuese në dëm të shqiptarëve, me të cilat u ndaluan shitblerjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ndërrimi i banesave dhe një varg masash të tjera diskriminuese ndaj tyre. Jeta e shqiptarëve, veçmas gjatë luftës dhe bombardimeve të NATO-s, ishte rrëqethëse. Ata që ende mbetën në Beograd, përjetuan shumë të zeza: ofendime, kërcënime, ndjekje, maltretime, burgosje, plaçkitje, sidomos gjatë muajve prill, korrik dhe gusht të vitit 1999. Organet e pushtetit serb fare nuk reagonin ndaj këtyre veprimeve diskriminuese, përkundrazi i përkrahnin sulmuesit. Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, jeta e tyre në Beograd ishte e paqëndrueshme. Serbët e ikur nga Kosova, veçmas ata që kishin bërë krime, dispononin listat dhe adresat e shqiptarëve dhe i vizitonin duke i kërcënuar që të largoheshin sa më parë nga banesat, edhe pse ato ishin pronë e tyre legale, të blera ose të fituara sipas ligjeve në fuqi. Një numër i konsiderueshëm i tyre ishin të detyruar që të bëjnë ndërrimin e tyre me shtëpitë ose banesat serbe në Kosovë, në kushte shumë të pavolitshme për shqiptarët.
Andej që nga periudha e Mbretërisë Dardane e deri në ditët e sotme ndër popujt që parakaluan nëpër këto troje, i vetmi popull i cili nuk i ndërpreu zinxhirin e pranisë jetësore ishte dhe mbeti populli i Arbrit i cili arriti me sakrifica shekullore të mbijetoi dhe të ruante besën, gjuhën, dhe traditat e veta. Sot, në Kosovën lindore, përkatësisht në rajonin e Medvegjes, në dhjetëra fshatra kanë ngelur fare pak shqiptarë, që po gjallërojnë në trojet e tyre stërgjyshore, në pronat që nuk i kanë shitur as ata që ende janë atje, por askush , as nga ta shumica që tashmë i kanë lëshuar trojet e veta stërgjyshore, të cilat arritën ta ruajnë tokën e tyre dhe qenien biologjike me rezistencën e tyre heroike dhe tu qëndrojnë sulmeve të armiqve të shumtë nëpër shekuj.