Rrustë Kabashi në kryengritjen antiosmane 1884-1885
Luftimet vazhduan deri në mbrëmje dhe të nesërmen, më 1 mars 1885, u ndërmor një sulm i kombinuar me lumjanët mbi Prizren. Qyteti u sulmua nga jugu, veriu e perëndimi. U goditën edhe muret dhe çatitë e shtëpive por, afër mbrëmjes, zjarri i armëve nisi të pakësohej dhe topat heshtën. Qëllimi i kryengritësve për të pushtuar Prizrenin nuk u arrit nga moskoordinimi i sulmeve dhe nga mungesa e armatimit. Ata u tërhoqën nëpër kodrinat rreth Prizrenit dhe nuk ndërmorën sulme të tjera. Po ashtu, edhe ushtria osmane përforcoi pikat nga mund të hyhej në qytet, por nuk kundërsulmoi. Gjendja mbeti e tillë deri më 5 mars, kur, për të qetësuar situatën dhe për të ndërmjetësuar, qeveritarët e sanxhakut sollën nga Gjakova një shpurë krerësh të primë nga Riza bej Kryeziu, kajmekam i atjeshëm dhe fistar i Rrustë Kabashit. Në atë shpurë bënte pjesë edhe Sulejman Vokshi.
Epiqendra e lëvizjes po kalonte në sanxhakun e Pejës, sidomos në kazanë e Gjakovës
Pasi u informua për gjendjen në Prizren, dërgata zhvilloi bisedime më 7 mars me krerët e kryengritësve në Korishë dhe siguroi prej tyre një armëpushim të përkohshëm. Katër ditë më vonë (11 mars) erdhi në Prizren nga Stambolli Vesel Pasha me kompetenca të jashtëzakonshme. Ai në fillim u rrek të qetësonte situatën, por edhe krerët kryengritës, ndër ta edhe Rrustë Kabashi, nuk ndenjën në gjumë, vazhduan të organizonin tubime dhe të zgjeronin mbështetjen. Tani epiqendra e lëvizjes po kalonte në sanxhakun e Pejës, sidomos në kazanë e Gjakovës, e cila përfshinte edhe krahinat e Hasit, Malësisë e të Rekës.
Më 2 maj 1885 u tubua në Pejë një kuvend dhe pas tij edhe një tjetër në Rekë (15 maj), i organizuar me nismën e Sulejman Vokshit e të Rrustë Kabashit, të cilët kishin refuzuar dy ditë më parë të merrnin pjesë në një takim – kurth me Vesel Pashën. Pra, këta dy krerë, në vend që të gjunjëzoheshin para komisarit të jashtëzakonshëm osman, i kthyen shpinën atij dhe në kuvendin e Rekës u përpoqën të bindin pjesëmarrësit për të rinisur revoltat antiqeveritare. Vërtet Sulejman Vokshi e Rrustë Kabashi dështuan në Rekë, por me veprimin e tyre i treguan Vesel Pashës se ishin armiq të pandreqshëm të Portës së Lartë. Për këtë arsye pashai turk vendosi të hakmerrej ndaj tyre dhe ndaj të gjithë krerëve që nuk kishin pranuar të shkonin në takim. Mllefin e tij e zbrazi së pari ndaj krerëve të Kabashit, Rrustë, Ukshin Berishës e Njazi Grejkovcit (Kabashit). U çoi fjalë të dorëzoheshin dhe për këtë u caktoi një afat pesëditor, që ua zgjati edhe dy ditë të tjera. Meqë ata nuk u bindën, dërgoi në Kabash disa taborë nizamësh, u dogji kullat dhe u konfiskoi pasurinë e luajtshme dhe familjet ua solli në Prizren. Ndërkohë, shpalli publikisht se: “...ata që strehojnë të arratisurit dhe nuk i dorëzojnë gjallë ose vdekur, do të pësonin të njëjtin fat dhe familjet do t’ua dërgonin në Anadoll”.
Vesel Pasha, po ashtu, kishte hartuar plane për të shti në dorë edhe krerët e Lumës që kishin kërcënuar Ibrahim Pashën, si dhe krerë nga Gjakova e Peja, ndër ta edhe Sulejman Vokshin, të cilin, më vonë, e arrestojnë në Gjakovë dhe e dënojnë me burgim të përjetshëm.
Kështu mbaroi faza e parë e kryengritjes antiosmane të viteve 1884-1885, ku – siç u tha më sipër – një rol të rëndësishëm drejtues dhe komandues pat luajtur Rrustë Kabashi -, i cili do të shquhej edhe më vonë, në lëvizjet për liri e pavarësi kombëtare.
Rrëfime të asaj kohe dhe dëshmi nga gjyqet e kohës
Proceset gjyqësore kundër Vehbi Ymerit, Shaqir e Ali Zhurit: “Si shkuam në Zojz, banditët na dhanë ultimatum se do të prisnin deri në orën gjashtë të ditës së nesërme për sigurimin e bazave në qytet, pastaj do të hynin pa pyetur kënd”; “Ne shkuam në Poslisht, fjetëm një natë atje, këshilluam krerët e Lumës që të mos vinin në qytet, por ata nuk u bindën, sepse ishin njoftuar se edhe popullsia e kazave të tjera do të hynte atje…”.Për të kundërshtuar vendosjen e linjës telegrafike, krerët e Shtiqnit, me nismën e kryeplakut, Ymer Sula, pjesëmarrës në tubimin e Lisit të Zojzit, organizuan një kuvend, i cili u shpreh kundër regjistrimit të popullsisë, sidomos të femrave, e kundër çarmatimit. Si kuvendarë njihen Bajram Gjuta, Berë Lami, Jonuz Hajdari (i moçmi), Jonuz Hasani, Asllan Liman Muja, Sulë Shahini, Jahë Mata, Dullë Mehmeti, Sulë Voka, Shemsi Bera etj. Kuvendarët lidhën besën për t’iu përgjigjur edhe me armë çdo përpjekjeje të pushtetit për t’iu imponuar reformat. Atij kuvendi i bën jehonë një këngë popullore e shënuar që në vitet 50 të shek. të kaluar:
Xhit po thot’ ki Istref Mrati:
“Imer agën e kërkon kajmekami”.
-Kajmekami xhit ko me mue?
Nuk i shkruej cuc’ e gjrue!”
Xhit po thot Imer aga:
“Ktu tel nuk m’ka lan’ baba!”
Xhit po thot’ Qorr Imeri:
“Nuk e lo m’u vu n’plep teli!”
Xhit po thot’ Halil Veseli:
“Ktu pari s’vihet teli!
Ahmet Hasa, t’u shemt’ oxhaki,
Mos na i hiq kollanat prej barki,
Se niqin gjrosh u ka bo harxhi”.
Kur xhandarmëria e Bicajt me në krye Ahmet Hasën iu afruan Shtiqnit dhe hodhi disa predha mbi katund, shtiqianët iu përgjigjën me armë armikut. Beteja midis tyre e njohur si lufta e telit u zhvillua pranë vendit të quajtur Guri i Ortunës. Luftimet qenë të ashpra. Këtu armiku humbi pesë zaptie, ndërsa nga Shtiqni mbet Arif Selmani. Nga predhat e armikut u dogjën disa shtëpi. Toponimi i sotëm “Vorret e Nizame” dëshmon se aty qenë varrosur të vrarët e xhandarmërisë osmane.Si thyen sulmin e armikut, kryengritësit, të mbështetur nga qindra malësorë të rrethinave, rrethuan Bicajn, qendrën e kazasë.
S. Rizaj, në librin e tij “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”,( Prizren, 1998, f. 277) shkruan: “Duke u mbështetur në raportin e Kirby Green-it, dt. 8 mars 1885, njoftohemi se fiset e Lumës dhe shqiptarët myslimanë të rrethit të Prizrenit ishin ngritur kundër autoriteteve osmane të atij vendi, me ç’rast ishin zhvilluar dy përleshje, njëra më 26, 27, 28 shkurt e tjetra në 1 mars. Beteja e parë u zhvillua te përroi “Uji i Ftohtë”, në afërsi të Prizrenit, me ç’rast vritet një oficer dhe disa ushtarë osmanë…”.Këtij udhëheqësi populli i ka kënduar këte këngë:
“Mustaf’ Lita – ni burr’ i gjatë –
po lufton me pashallart.
Mustaf’ Lita – ki far’ trimit –
po lufton në Qaf’ t’Morinit
bashk’ me gjemt’ e molla Halimit”